NASA: Sonda "Kepler" zbulon sistem planetar katërdiellor

28/06/2013 10:31

Dy amatorë pas analizës së të dhënave nga sonda "Kepler" kanë zbuluar një planet në sistem katërdiellor, i pari në llojin e tij i njohur deri më tani, pohojnë astronomët.

Planeti i largët orbiton rreth dy diejsh, ndërsa dy diej të tjerë orbitojnë rreth tyre, thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas astronomëve planeti mendohet të jetë "gjigant i gaztë", pak më i madh se Neptuni dhe gjashtë herë sa Toka.

Verifikimi i këtij zbulimi u bë me teleskopët "Kek" të vendosur në Havaj. Me bazë paradigmën e derimësotme astronomët shprehen të çuditur se si planeti nuk shpërbëhet nga forca gravitacionale e katër diejve.

"Katër diej që e tërheqin krijojnë një mjedis tepër të ndërlikuar", - thotë Kris Lintoti nga Universiteti i Oksfordit, për lajmet e BBC-së. - "E megjithatë ja ku është në orbitën e vet të qëndrueshme." - vijon ai.

"Kjo është e pashpjegueshme për momentin dhe pikërisht çka e bën dhe zbulimin kaq tërheqës. Nuk është aspak çfarë prisnim të shikonim." - përfundon Lintoti.

Planeti i emërtuar PH1, ka 6,2 herë gjerësinë e Tokës, orbiton dy diej, të cilët orbitohen nga dy të tjerë. Një prej diejve kryesorë është i ndriçimit të shkallës së lartë, me 1,7 herë ndriçimin e Diellit tonë. Ndërsa tjetri është më i zbehtë dhe vetëm sa 41% e gjerësisë së Diellit.

Planeti PH1 sillet rreth tyre në largësi afro 2/3 e largësisë Tokë-Diell. Ndërsa dy diejt e tjerë janë shumë më larg, rreth 30 herë sa largësia Neptun-Diell. Në një shkallë të tillë, diejt do të dukeshin thjesht si dy pika të shndritshme në qiell.

Por gjithsesi, astronomët pohojnë se duhet të jetë i vështirë dallimi i cilitdo diell në sipërfaqen e planetit PH1, pasi atmosfera e tij e veshur me re të dendura, pengon përçimin e dritës. Por, vijojnë ata, edhe sikur të mos kishte re, dy diejt e largët sërish do të pengoheshin nga ndriçimi i lartë i diellit më të shndritshëm.

Në lidhje me faktin që sistemi u zbulua më parë nga amatorët, astronomët pohuan se kjo është një nga të mirat e zhvillimeve të fundit nga NASA, ku pjesëmarrja e qytetarëve të thjeshtë në shkencë ndihmon në përpunimin e të dhënave të mbledhura nga sondat hapësinore, të cilat më parë ishte e vështirë të analizoheshin, pasi kërkonin staf më të madh dhe kohë më të gjata.