"Voyager" mbërrin në kufijtë e sistemit diellor

24/07/2013 22:19



Sonda hapësinore "Voyager 1" ka mbërritur në kufijtë e sistemit diellor, duke u bërë kështu objekti më i largët i dërguar deri më tani nga njeriu në hapësirë.

Sipas një komunikate për shtyp nga Laboratori i Shtytjes Reaktive i NASA-s në Pasadenë, SHBA, sonda po dërgon të dhëna në Tokë se ka regjistruar rritje të grimcave të ngarkuara elektrikisht që vijnë nga përtej sistemit diellor.

"Astronomët e "Voyager"-it duke parë këtë rritje të shpejtë [të rrezatimit ndëryjor] po i afrohen përfundimit të pashmangshëm, por dhe historik, se i dërguari i parë i njerëzimit në hapësirë është në kufijtë e sistemit tonë diellor," - pohoi agjencia NASA në komunikatën për shtyp.

"Voyager 1", së bashku me sondën simotër "Voyager 2", është lëshuar në hapësirë në vitin 1977 dhe ndodhet tani 18 miliardë kilometra larg Diellit. Ajo po lëviz me shpejtësi rreth 17 km në sekondë dhe të dhënat që dërgon në qendrat marrëse në Tokë vijnë për 16 orë e 38 minuta. Ndërkaq "Voyager 2" ndodhet rreth 15 miliarë kilometra larg Diellit.

Mes tyre, sondat kanë eksploruar të gjithë planetët e mëdhenj të sistemit diellor si Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni, si dhe 48 prej hënave të tyre.

Të dy sondat mbajnë të gdhendur mbi trup një përshëndetje për gjallesa inteligjente që mund të hasin në rrugëtimin e tyre, një regjistrim zanor në fonograf dhe një disk bakri me veshje ari me zë dhe figura nga jeta dhe kultura në Tokë, të cilat ishin zgjedhur asokohe nga një grup i kryesuar nga shkencëtari i njohur Karl Sagan.

Grimcat e ngarkuara elektrikisht që godasin sondën "Voyager" burojnë nga yjet të tjera dhe kanë filluar të shtohen teksa sonda i afrohet hapësirës ndëryjore. "Nga janari 2009 deri në janar 2012 ka pasur një rritje graduale rreth 25% në sasinë e rrezeve kozmike galaktike që godisnin "Voyager"-in," - pohon Ed Stoun, pjesëtar i projektit për "Voyager"-in në Institutin e Teknologjisë në Pasadenë, SHBA.

"Kohët e fundit kemi vënë re një rritje të shpejtë në atë pjesë të spektrit të energjisë. Duke filluar nga 7 maji, rrezatimi kozmik është shtuar me 5% gjatë një jave të vetme dhe 9% gjatë muajit."

Vendndodhja e saktë e sondës në kufijtë e sistemit tonë diellor nuk është ende e ditur, por një tregues tjetër se "Voyager"-i ka hyrë në hapësirën ndëryjore pritet të jetë ndryshimi i kahut të fushave magnetike rreth saj. Shkencëtarë e NASA-s po hetojnë të dhënat e grumbulluara nga aparatet e sondës për të përcaktuar nëse ka ndodhur një ndryshim i tillë.

"Ligjet e fizikës thonë se një ditë "Voyager"-i do të bëhet objekti i parë i krijuar nga njeriu që hyn në hapësirën ndëryjore, por nuk e dimë ende se kur pikërisht do të jetë kjo ditë", - vijon Stouni. "Të dhënat e fundit tregojnë se ndodhet në një zonë ku gjërat ndryshojnë më shpejt se më parë. Emocionuese, po i afrohemi kufirit të sistemit diellor."

Sonda shfrytëzon pluton si burim energjie dhe sasia e instaluar është parashikuar të zgjasë deri në vitin 2025. Pasi të konsumohet energjia, sondat do të vazhdojnë të udhëtojnë në hapësirë drejt yjeve të tjera në Kashtën e Kumtrit, por nuk do të transmetojnë më të dhëna drejt Tokës.